30.7.08

Hazreti Ebul Fazl Abbas a.s.


Abbasi, djali trim dhe i guximshëm i Imam Aliut (a.s.), hëna ndriçuese dhe rrezatuese e Beni Hashimit dhe Shtylla Bartëse e ushtrisë së Imam Hyseinit (a.s.) në betejën e famshme historike të Kerbelasë, lindi në qytetin e shenjtë të Medines më 4 Shaban 26 H.
Kodrat lëvizëse të rërës së Kerbelasë ishin të njollosura me gjak. Afër një kodre të tillë, në bregun e Alkomas, shtrihej trupi i rraskapitur i një të riu, nga i cili rridhnin gjaqet prej plagëve të panumërta. Batica e skuqur e jetës ishte duke u tërhequr me shpejtësi. Prapëseprapë, ai ishte duke pritur me ankth që t’i afrohej njëri dhe të rrinte afër tij para se të lëshonte frymën e fundit. Përmes grykës së tij të kollarisur dhe fuqisë së tij të dobësuar ishte duke thirrur për ndihmë. Po, Abbasi ishte duke pritur që t’i afrohej zotëria dhe udhëzuesi i tij para se të shkojë nga kjo jetë, pasi që kishte ardhur në anën e shokëve të tij të devotshëm të cilët kishin flijuar jetët e tyre dhe e kishin përkrahur çështjen e tij.
Thuhet se para se të vdesë njeriu, të gjitha veprat e tij i kalojnë në mënyrë të shpejtë para syve të mendjes së tij. Këtë ishte duke përjetuar Abbasi në momentet e fundit të jetës:
E shihte veten si fëmijë në Medine duke e ndjekur Hyseinin me një besnikëri të njëjtë me besnikërinë ndaj vëllait. Ishte duke i vështruar ngjarjet e asaj dite të nxehtë dhe përvëluese, kur babai i tij i famshëm Aliu ishte duke u drejtuar një grumbulli të njerëzve në xhaminë e Kufes. Dhe ai, me besnikërinë e tij karakteristike, ishte duke e vështruar fytyrën e vëllait të tij të dashur në mënyrë të tillë që ishte në gjendje t’i bindej çfarëdo urdhri të tij pa hamendje.
E shihte Hyseinin me buzët e thara për shkak të etjes për ujë, pastaj se si kishte dalë nga xhamia në mënyrë të vrullshme dhe ishte kthyer me një gotë të mbushur plot me ujë të freskët dhe të ftohtë. Duke nxituar ta sjellë ujin sa më shpejt për ta shuar etjen e vëllait të tij të dashur, e derdhi ujin në rrobat e veta. Ai ishte duke përkujtuar se, kur e vërejti këtë pamje babai i tij i dashur, e ndali predikimin nga foltorja dhe filluan t’i pikonin lotët nëpër faqet e tij për djalin e tij me rroba të lagura.
Ai e mbante në mend përgjigjen e babait, kur e pyetën ithtarët e tij se çka ishte shkaku i rrjedhjes së lotëve të tij: “Nuk është larg koha kur trupi i Abbasit do të jetë i lagur me gjak, në vend të ujit, duke bërë përpjekje për ta shuar etjen e fëmijëve të tij të vegjël.”
Ai ishte duke e parë qartazi edhe skenën e 21-të të Ramazanit të viti 40 Hixhri, kur babai i tij ishte plagosur për vdekje dhe ishte shtrirë në shtratin e vdekjes. Ishte duke ia dorëzuar vëllait të madh Hasanit fëmijët dhe personat që vareshin prej tij – të gjithë përveç Abbasit. Duke e shikuar se si babai i tij kishte urdhëruar që të kujdesen të gjithë për Hasanin, përveç tij, atij i kishin filluar t'i rrjedhin lotët në mënyrë të pakontrolluar. Kur e dëgjoi babai dënesën e tij, e thirri afër tij dhe e bashkoi dorën e tij me atë të Hyseinit, duke thënë:
“Hysein, këtë djalë po ta besoj ty. Ai do të më përfaqësojë në ditën e flijimit tënd të madh dhe do të sakrifikojë jetën e tij duke të mbrojtur ty dhe të dashurit e tu, njëjtë sikur që kisha bërë unë, sikur të kisha qenë gjallë atë ditë”.
Pastaj, u kthye me dashuri kah Abbasi dhe tha:
“Abbas, djali im, e di për dashurinë tënde të madhe për Hyseinin. Edhe pse je ende i ri për këtë, më duhet të them se kur të agojë ajo ditë, asnjë sakrificë mos e konsidero si të madhe për Hyseinin dhe fëmijët e tij.
Para mendjes së tij ai e pa edhe ndarjen me nënën e tij të moshuar Fatimen në Medine. Ajo e përqafonte atë dhe ia përkujtonte për dëshirën e fundit të babait të tij për ta mbrojtur me jetë Hyseinin dhe të dashurit e tij.
Një buzëqeshje e lehtë e kënaqësisë fluturoi përmes buzëve të tij të thara. Një buzëqeshje për shkak të përmbushjes së dëshirës së babait të tij dhe të përmbushjes së detyrës për të cilën kishte ardhur. Fluturoi për një moment dhe u zhduk, sepse skenat e tjera u paraqitën para syve. Ai ishte duke e ringjallur ngjarjen e natës së mbrëmshme.
E kishte parë Shimrin se si po afrohej vjedhurazi; duke i folur për lidhjet e tij familjare dhe për mbrojtjen që ia kishte premtuar komandanti i forcave të Jezidit, vetëm nëse e braktis Hyseinin dhe shkon në kampin e Jezidit. Pastaj, i përkujtonte premtimet e Shimrit për dhënien e pasurisë dhe të shpërblimeve dhe se si i kishte refuzuar sugjerimet e puthadorit servil, me një përbuzje hidhëruese, i cili e kishte shitur shpirtin e tij për një porcion të supës, se si e kishte trembur atë qyqar me zemërimin e tij të ashpër, duke i thënë:
“O ti adhurues i Memunit, mos mendo se Abbasi do të joshet me ofertën tënde provokuese të fuqisë dhe të pasurisë. Nëse vdes duke e mbrojtur zotërinë tim, do ta konsideroj veten si personin më të fatlumët. O qyqar, mbaje mend se trimat vdesin vetëm një herë. Askush nuk ka lindur për të jetuar përherë. Nëse e tradhtoj zotërinë time, unë do ta tradhtoj të Dërguarin, fenë e të cilit ti po deklaron se je duke ndjekur. Në Ditën e Gjykimit do të dënohesh me mundimet e përhershme të xhehenemit. Mua më vjen turp për shkak të marrëdhënieve familjare të mia që i kam me ty. Sikur të mos kishe ardhur këtu i paarmatosur, do të kisha dhënë ndëshkimin e merituar për shkak të paturpësisë tënde që kërkon prej meje të bëhem renegat.”
Se si qerratai u arratis shpejt prej atij vendi, kur e pa Abbasin duke gjëmuar si luani i tërbuar, mendimi për atë ngjarje të pakëndshme bëri që të mbledhë vetullat. Apo, ishte dhembja torturuese nga e cila vuante në llogari të plagëve të thella që i kishte në tërë trupin e tij.
Po, edhe një skenë kaloi para syve të mendjes së tij: Sakina që kujdesej për 42 fëmijë, trastat e ujit të të cilëve ishin të zbrazëta. Fëmijët ishin duke bërtitur sikur në kor:
“Etja, etja përvëluese është duke na mbytur”
Sakina u afrua te Abbasi me trastat e zbrazëta të ujit, i vendosi te këmbët e tij, dhe tha:
“O dajë, e di që do të bësh diçka për të na sjellë ujë neve. Edhe nëse na sjell vetëm një trastë të mbushur me ujë, mund t’i lagim grykat tona të thara”.
Ai mund të shihte etjen që gjithnjë e më shumë ashpërsohej me shtimin e nxehtësinë përvëluese të shkretëtirës dhe që ua zinte frymën e jetëve të tyre të njoma. Pamjet e këtyre të rinjve kishin prekur më shumë se ngjarjet që ta trazojnë shpirtin në atë ditë të besnikërisë. Se si e mori trastën e ujit prej Sakines, me bindjen se do të sjellë ujë, vetëm Zoti e di.
Se si e mori lejen prej Hyseinit dhe marshoi jashtë kampit me shpatë në njërën dorë dhe flamurin në tjetrën dorë; me trastën në supe dhe me fëmijët që e ndiqnin në grupe deri në kufirin e jashtëm të kampit. Se si Hyseini kishte përsëritur vazhdimisht që të shmanget prej luftimit sa më shumë që ishte e mundur dhe ta kufizojë veten me detyrën e vetme të sjelljes së ujit!?
Mendimet e tij fshikulluan nëpër ngjarjet që paraprinin rrëzimin e tij prej kalit. Me qëllimin e sjelljes së ujit për Sakinen e tij të vogël, ai ia kishte mësyrë armikut që e mbante të rrethuar bregun e ujit, për t'u sjellë ujë vogëlushëve. Ai kishte shpuar rendet e armikut sikur thika gjalpin. Armiku qyqar u befasua me këtë sulm të vrullshëm dhe u
paraqit një rrëmujë në mesin e tyre, sa që filluan të ikin pa mend duke bërtitur për ndihmë.
Për një moment iu duk atyre se Aliu, luani i Allahut, kishte zbritur prej qiellit. Shumë shpejt Abbasi ishte afër vijës së ujit. Kërceu prej kalit dhe u përkul për t’i mbushur trastat e ujit. Kur u mbushën deri në grykë, mori pak ujë me duar për ta shuar etjen mbytëse të tij.
Por, kur mendoi pakëz, e gjuajti ujin prej dorës. Si mund të pijë ujë kur Sakina dhe fëmijët ishin tharë prej etjes? Si mund të bëhet aq zemërgur dhe të harrojë zotërinë e tij Hyseinin, kur ai nuk kishte pirë asnjë pikë ujë tri ditët e fundit? U kthye te kali i tij që nuk ishte i lidhur në mënyrë që të mund ta shuajë etjen. Kafsha ishte duke e shikuar zotërinë e tij, sikur dëshironte të thoshte: “Edhe unë jam i vetëdijshëm që për aq sa zotëria ynë bashkë me fëmijët e tij qëndrojnë pa ujë, etja jonë nuk mund të shuhet.”
Me trastat e mbushura me ujë, kërceu në shalë me një mendim të vetëm: sa më shpejt që është e mundshme t'u çojë ujë fëmijëve të cilët presin me padurim ta shuajnë etjen. Kur e panë atë duke galopuar në drejtim të kampit të Hyseinit, armiku u kthye mbrapa. Dikush nga ushtria armike bërtiti se nëse Hyseini dhe njerëzit e tij e arrijnë ujin, do të jetë shumë vështirë për t’i luftuar ata në fushëbetejë.
Edhe pse ishte një betejë e pabarabartë, ai i luftoi ata me një trimëri që ishte karakteristike për babanë e tij. Ndonëse ishte i etshëm dhe i uritur, ai u kthye dhe i shpërndau ata. Mercenarët e Jezidit ishin duke ikur sikur delet kur i ndjek ujku. Duke parë se nuk mund të vritet një njeri i tillë nga përpara, ata i drejtuan një grumbull të shigjetave. Kur filluan të vinin shigjetat nga çdo anë, Abbasi kishte vetëm një gjë në mendje - si t’i mbrojë trastat e ujit në vend të jetës së tij.
Kur e panë se Abbasi ishte preokupuar me këtë mendim, njëri prej armikut, duke u fshehur në kodrën e rërës, iu vërsul dhe e goditi në dorën e tij të djathtë, duke ia prerë atë. Brenda çastit, Abbasi e pranoi shpatën me dorën e majtë dhe barrën e përqafoi me gjoksin e tij. Tani, mbasi që luani i Aliut u gjymtua, ushtarët morën guximin që ta rrethojnë. Një goditje e shpatës së armikut ia preu edhe dorën e tij të majtë. Goditjet vendimtare ishin drejtuar kundër tij. Ai e mbante trastën e ujit me dhëmbë dhe e mbronte flamurin me gjoksin e tij, duke e mbështetur te shpina e kalit. Ai kishte vetëm një gjë në mendje – ta arrijë kampin pa marrë parasysh si. Një lutje e qetë i iku prej buzëve të tij: “O Allahu i mëshirshëm, më kurse vetëm sa ta plotësoj këtë detyrë”.
Por kjo nuk ishte e mundur. Një shigjetë e shpoi trastën e ujit dhe uji filloi të rrjedhë jashtë saj. A ishte uji që ishte duke rrjedhur prej trastës apo shpresat e Abbasit? Të gjitha përpjekjet e tij shkuan së koti. Mbas gjithë peripecive, etja e Sakines do të mbetet e pashuar dhe të gjitha shpresat do të mbesin të dështuara. Armiku që u mundua për ta rrethuar atë, duke e parë gjendjen e tij të dobët, ishin duke u grumbulluar dendur përreth tij. Njëri prej tyre u afrua dhe e goditi me një të rënë vdekjeprurëse me anë të një topuzi të hekurt. Ai u lëkund dhe ra prej kalit.
Ai u hodh me kokë mbrapa në rërën e nxehtë me dhimbje torturuese. Ai ndjente se jeta e tij po i afrohej fundit por dëshira e tij për ta parë zotërinë e tij mbeti e paplotësuar. Me një përpjekje të fundit, përmes tërë fuqisë që i kishte mbetur, bërtiti me zë të lartë:
“O zotëria ime, eja tek unë para se të vdes”
Si përgjigje ndaj lutjes së tij, ai dëgjoi disa hapa afër tij. Po, instinkti i tij i tregoi se ishte zotëria i tij. Një sy i qe verbëruar nga një shigjetë, ndërsa tjetri i qe mbuluar me gjak, ndaj nuk mund të shihte, por, e ndjente zotërinë se si gjunjëzohej afër tij, duke ia ngritur kokën dhe duke e vendosur në prehrin e tij. Asnjëri nuk foli asnjë fjalë për disa sekonda,
sepse të dytë nuk mund të përmbaheshin prej emocioneve. Së fundi, dëgjoi zërin e Hyseinit, gjysmë rënkues dhe të mbështjellë me qarje:
“Abass, vëllai im, çka të kanë bërë”
Sikur të kishte mundur të shohë, a do ta njihte Abbasi zotërinë e tij? Me shpinë të kërrusur dhe mjekër të shndërruar në të thinjtë, duke dëgjuar të qarët lamtumirës të vëllait të tij të dashur. Gjendja e Hyseinit ishte e tillë sa që askush nuk do të mund ta njihte - deri në atë masë ishte transformuar. Abbasi tani e ndjente të prekurit e dashur të dorës së zotërisë së tij. Me përpjekje murmuriti:
“Më në fund erdhe, o zotëria ime. Mendova se nuk ishte caktuar ta bëja lamtumirën e fundit me ty, por falë Zotit, ti je këtu”
Mbas këtyre fjalëve vuri kokën në rërë. Hyseini ia ngriti në mënyrë të butë kokën e tij dhe e vuri prapë në prehrin e tij, duke e pyetur pse e largoi kokën prej prehrit të tij.
“Zotëria ime, mendimi që kur do të japësh frymën e fundit, askush nuk do të jetë afër teje për ta vendosur kokën tënde në prehrin e tij, më bën të ndjej se do të jetë më mirë nëse koka ime shtrihet në rërë kur të vdes, njëjtë sikur jotja. Përveç kësaj, unë jam robi yt dhe ti je zotëria ime. Është e tepërt për mua për të vendosur kokën time në prehrin tënd”.
Hyseini ia plasi vajit dhe i rrodhën lotët në mënyrë të pakontrolluar. Dukja e vëllait të tij, emri i të cilit ishte bërë legjendë e devocionit dhe e besnikërisë së patundshme, ia copëtonte zemrën, aq më tepër kur ishte duke dhënë shpirt në duart e tij. Abbasi u dëgjua se si pëshpëriste butë:
“Zotëria ime, kam disa dëshira të fundme për t’i shprehur. Kur kam lindur, shikimi im i parë ka qenë fytyra jote dhe është dëshira ime e fundit që kur të vdes, vështrimi im të jetë kah ti. Një sy e kam të shpuar me shigjetë dhe tjetri i mbuluar me gjak. Nëse e pastron gjakun prej syrit tim, do të jem në gjendje të të shoh, dhe në këtë mënyrë do të më plotësohet një dëshirë ime e fundit. Dëshira ime e dytë është që kur të vdes, të mos e bartin trupin tim në kamp. I kam premtuar Sakines për t’i çuar ujë, dhe pasi që dështova në përmbushjen e saj, nuk mund të përballem me të as i vdekur. Përveç kësaj, e di që goditjet që i ke marrë prej mëngjesit, të kanë dobësuar dhe bartja ime në kamp do të jetë një punë që do ta thyejë zemrën tënde. Dhe, dëshira ime e tretë është që të mos vijë këtu Sakina për të parë trupin tim në këtë gjendje. E di se me çfarë dashurie dhe afekti ishte kushtuar ndaj meje. Pamja e trupit tim të pajetë do ta vrasë atë.”
Hyseini premtoi duke qarë me dënesë se do t’i plotësojë dëshirat e tij, dhe shtoi:
“O Abbas, edhe unë kërkoj prej teje që të ma plotësosh një dëshirë. Prej fëmijërisë tënde, gjithnjë më ke thirrur zotëri. Së paku njëherë më thirr vëlla përmes frymës tënde të fundit”
Gjaku u pastrua prej syrit të tij dhe një vëlla e shikoi vëllanë tjetër me vështrimin e qëndrueshëm përmallues. Abbasi u dëgjua duke pëshpëritur:
“Vëllai im, vëllai im”
Dhe, me këto fjalë ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij. Hyseini e humbi vetëdijen dhe ra mbi trupin e vdekur të Abbasit, duke bërtitur me zë të lartë:
“O Abbas, kush do të më mbrojë tani mua dhe Sakinen, mbas teje?”
Rrjedha e Eufratit u bë e zymtë si dimri dhe murmurima u lartësua prej ujit rrjedhës si protestë ndaj mbytjes së bartësit të etshëm të trastës së ujit në bregun e tij.
Ebu Fazl Al Abbasi ishte vëllai i Imam Hasanit (a.s.) dhe Imam Hyseinit (a.s.). Ai është bërë i njohur në histori përmes trimërisë, besnikërisë dhe ngjashmërisë me babën e tij, Luanit të Allahut, Ali bin Ebu Talibit (a.s.)
Varri i Abbasit fitoi vëmendje të ngjashme me atë të Imam Hyseinit (a.s.) Në vitin 1032 H, mbreti Tahmaseb dha urdhër që të dekorohet kubeja e tyrbes së Abbasit. Ai ndërtoi një dritare në ‘darih’-in përreth varrit dhe rregulloi një hapësirë rrethuese. Aktivitete të ngjashme janë ndërmarrë prej sunduesve tjerë.
Në të vërtetë, në Kerbela ndodhen edhe varret e 72 martirëve tjerë, përveç të Imam Hyseinit (a.s.), dhe vëllait të tij. Ata janë varrosur në një varrezë masive, e cila pastaj është mbuluar me dhe deri në nivelin e sipërfaqes së tokës. Kjo varrezë masive ndodhet te këmbët e Imam Hyseinit (a.s.). Përveç të tjerëve, aty gjenden edhe varret e dy djemve të Imam Hyseinit (a.s.) Ali Ekberi (6 muajsh) dhe Ali Asgarit.

0 comments:

 

AlbShia në SHIATV

Posta elektronike

  • albshia@gmail.com

ALBSHIA në YOUTUBE